Saturday, December 08, 2007

Jimi Hendrix, historia e një miti rebel


Është një nga ikonat e mëdha të viteve ‘60. Vdekja e tij ishte një nga ngjarjet më të trishtuara të historisë së muzikës rok. Hendrix ishte një nga artistët më të shfrytëzuar nga industria diskografike, e cila nuk hezitoi të publikonte të gjitha pjesët e luajtura prej tij...


Jimi regjistroi dy albume të mëdha (të parin dhe të tretin), por mbi të gjitha i dha jetë një stili loje në kitarë, që në fakt ishte më shumë se një stil. Kitara e tij hapi dyer të reja për eksperimentimin mbi këtë instrument muzikor. Improvizimi i tij përdorej jo vetëm në kitarë, por edhe në tastiera, e çdo instrument tjetër ku dominonte muzika rok. Rasti i Hendrix si kitarist është unik në historinë e muzikës moderne. Ai është sistematikisht në krye të të gjitha klasifikimeve të kritikëve të botës, madje edhe mbi ata të xhazit. Lartësia e tij si kitarist është e njëjtë me atë të Beethoven-it në sinfoni.

Stili i tij për të luajtur në kitarë lindi prej përvojave kryesore të "rithem and bluz" të Çikagos, muzikës "soul" të Memphis dhe improvizimeve të kitaristit të xhazit Charlie Christian. Ndërsa për sa i përket Hendrix thuhet se ishte e vështirë ta këshilloje në muzikën e tij. Jimi ishte vërtetë i madh, një kitarist i jashtëzakonshëm, ndoshta mjeshtri më i madh në të gjithë historinë e muzikës, të paktën për sa i përket kitarës. Por fenomeni Hendrix ishte një fenomen varfanjak e cipëplasur komercial. Nga pikëpamja teknike, merita e tij ishte hapja e horizonteve të reja për kitarën elektrike, instrumenti më i njohur i muzikës rok. Në ekstremizmin e tij muzikor u gërshetuan së bashku elektrifikimi, amplifikimi, improvizimi, bluzi, xhazi dhe roku. Teknika e tij u bë e pranishme në çdo vend. Hendrix "shpiku" kitarën elektrike, lartësoi fuqitë tonale dhe timbrike, duke e përdorur në të gjitha mënyrat e mundshme. Në duart e tij kitara bëhej një orkestër, një makinë e madhe tingujsh. Improvizimi fillonte nga bluzi, por tema për t‘u shprehur ishte e lirë, duke përfshirë gjithçka. Ndoshta sekreti qëndronte te shfaqja solo dhe ritmi, për të eksploruar çdo kënd të muzikës, të vibronte kordat e krijimtarisë në çdo skaj të universit kumbues, duke forcuar kështu aftësitë dialektike të instrumentit. E, duke e zgjeruar edhe më shumë rolin që ajo kishte në bluz, e bëri diçka më shumë se një instrument: një simbol të dështuar, një thirrje për luftë, zëri i çmendur i ndjesisë ekstreme, një "kafshë" shtëpiake, një shoqërues kërcimi, një mik të mendimit, ndjenjës dhe fjalës, një apendiks i trurit dhe mendjes. Hendrix e bëri këtë instrument një simbol të pazëvendësueshëm për një brez të tërë.

Karriera e tij ndahet në dy periudha: njëra ku vazhdon të rrisë kontrollin e tij mbi instrumentin dhe ku çdo ditë zbulon fuqitë shpërthyese të kitarës ndërsa tjetra ku ka djegur lehtësisht të gjitha zbulimet e tij. Lirikat e tij ishin të mrekullueshme.

Hendrix mishëronte ritme "voodoo" të marra nga vallëzimet rituale të Afrikës. Në kodin e tij gjenetik kishte mbetur një informacion atavik dhe misioni i tij ishte "transplantimi" në ikonografinë e "rock and roll".

James Marshall Hendrix lindi më 27 nëntor të vitit 1942 në Siatëll, nga një kryqëzim mes indianësh, zezakësh dhe të bardhësh. Filloi të luante në kitarë që në moshën 11-vjeçare, pak kohë pas humbjes së të ëmës. Në moshën 16-vjeçare braktisi shkollën për t‘iu dhënë jetës së shthurur. Jetën e përballonte me paratë që fitonte nga shfaqet e vogla të "rythem and blues" dhe të "rock and roll"-it. Pasi kreu shërbimin ushtarak si parashutist për më shumë se 1 vit, 21-vjeçari Hendrix hyri në rangun e njerëzve të "suksesshëm". Kështu, me pak punë u bë kitaristi i Little Richard, Wilson Pickett, Tina Turner, King Curtis. Në vitin 1965, në Greenwich Village formoi grupin e tij të parë dhe firmosi një kontratë për të dhënë shfaqe rregullisht. Fama e kitaristit të jashtëzakonshëm arriti në veshët e Chas Chandler, tashmë një menaxher, i cili në atë kohë ndodhej në Nju- Jork në kërkim të talenteve të reja. Pa u menduar gjatë, Chandler e çoi menjëherë në Londër, i siguroi një sezon (mediokër) ritmik, i regjistroi një pjesë nga kadencat epike si "Hey Joe" (në fund të 1966-ës, shkruar nga Billy Roberts në vitin 1962), e futi në ambientet rok të Londrës (duke i dhënë mundësinë të krijonte miqësi më të gjatë të jetës së tij me Donovan) dhe i organizoi një sërë koncertesh në Evropë. Ndërkohë ish-menaxheri i tij Chandler e reklamonte beniaminin (Hendrix) si flamur të drogës dhe seksit, duke i zgjedhur koreografinë e shfaqjeve dhe veshjet në baza të repertorit. Albumi i parë "Are You Experienced" një kryevepër që u bë hit i suksesshëm në SHBA, në qershor të vitit 1967. Muzika e tij ishte bluz-rok, e shoqëruar me energjinë vullkanike të kitarës. Por Jimi i vërtetë e pasqyron veten e tij në "Third Stone from the Sun", kënga më e gjatë dhe më eksperimentuese e diskut, që shoqërohej me një ritëm të fortë xhazi. Në vitin 1968, ishte një nga yjet e famshëm të muzikës, duke u cilësuar edhe si kitaristi më i madh i të gjitha kohërave. Albumi i tij i dytë "Axis Bold As Love", që u publikua në dhjetor të 1967-ës, e kishte humbur paksa energjinë në krahasim me albumin e parë. Egërsia e diskut të parë gjendet vetëm në këngën "Little Miss Lover".

Ndërsa albumi rok "Electric Ladyland", i publikuar në gusht të 1968-ës, është totalisht ndryshe. Muzika ka ndryshuar në mënyrë drastike: Hendrix nuk bën më njeriun e "egër", por poetin metafizik. Kështu viti 1968 shënoi në të vërtetë fillimin e një rënieje fizike, morale dhe artistike. Filloi të sillej në mënyrë të çuditshme dhe të mendonte gjithnjë e më pak për muzikën. U arrestua në Suedi, pasi kishte shkatërruar dhomën e hotelit ku qëndronte. Një vit më vonë u nda edhe nga Chandler, ish-menaxheri i tij. Pas kësaj ndarjeje, u arrestua edhe dy herë të tjera, fillimisht për rrugaçëri, më pas për drogë. Në atë kohë ishte transferuar në Nju-Jork, ku frekuentonte "Black Panther". Në gusht, në kulmin e aftësisë së tij teatrore, tashmë një legjendë e jetuar, triumfoi në Woodstock me një version të mbrapshtë të himnit amerikan (Star Spangled Banner), gjatë së cilës kitara imitonte bombardimet në Vietnam.

Është një vepër postume, "Live at Woodstock" (MCA, 1999), që përmbledh të gjithë veprimtarinë e tij legjendare. Më pas formoi grupin e parë rok me solistë zezakë, "Band of Gypsys", me Buddy Miles në bateri dhe Billy Cox në kitarë bas. Në gusht të vitit 1970, dukej qartë që ishte në krizë, luajti në festivalin "Isle of Wight" pa e entuziazmuar publikun. Vdiq një muaj më vonë në apartamentin e një mikeshe, pasi piu një dozë të lartë ilaçesh.

No comments:

Dergo nje mesazh deri tek Jimmy
Custom Search